Wednesday, June 23, 2021
Ballina Lajmet Shantazhi me çnjohje para vazhdimit të dialogut

Shantazhi me çnjohje para vazhdimit të dialogut

Nuk ka sinjale që Serbia e ka ndalur fushatën për të siguruar çnjohjet nga vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën, thonë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Qeverisë së Kosovës.

Këto deklarata të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës vijnë pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pretendon se ekzistojnë shtete, që janë të gatshme që të tërheqin njohjet e Kosovës.

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, thekson se deklaratat kërcënuese nga autoritetet e Serbisë vijnë në prag të vazhdimit të dialogut me Kosovën dhe kanë për qëllim që ta minojnë këtë proces. Por, sipas tij, diplomacia e Kosovës nuk ka strategji të qartë për të bllokuar përpjekjet e Serbisë për të siguruar çnjohjet e pretenduara nga vendet e caktuara.

Sipas zotimeve të nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë në Uashingtonit, më 4 shtator të vitit 2020, Kosova ka marrë mbi vete obligimin që të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare brenda një viti, ndërkaq për të njëjtën periudhë kohore, Serbia ka marrë obligim që ta ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

MPJD: Nuk ka sinjale për ndalim të fushatës së Serbisë për çnjohje të Kosovës

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Qeverisë së Kosovës, me pyetjet se a ka kjo ministri informacione për mundësitë që një numër i vendeve që e kanë njohur Kosovën t’i tërheqin njohjet, ashtu siç pretendon presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në përgjigjen me shkrim që MPJD i ka dërguar Radios Evropa e Lirë thuhet se “për fat të keq, Serbia në vazhdimësi po dëshmon se nuk i përmbahet marrëveshjeve dhe vazhdon politikat e saj destruktive në raport me Kosovën”.

“Nuk kemi asnjë sinjal, i cili na bën të besojmë që Serbia ta ketë ndalur fushatën për çnjohje të Kosovës, as më herët e as tani. Kjo është për keqardhje dhe natyrisht që e ndikon edhe ecurinë e dialogut që pritet të mbahet. Qasja e Kosovës mbetet megjithatë konstruktive. Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar dhe çdo ditë po punon me shumë seriozitet për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Megjithatë, kjo ministri nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se a ka njohuri se cilat janë ato vende, te të cilat potencialisht Serbia ka lobuar për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj, ka deklaruar për një media në Serbi se vendi i tij duhet t’i përballojë presionet që do të jenë gjithnjë e më të fuqishme nga vendet e fuqishme perëndimore, të cilat e kanë njohur Kosovën. Siç ka thënë ai, “në këtë moment ata nuk kanë arritur të zhvatin ndonjë njohje nga vende të caktuara për Prishtinën, sepse duan të thonë që po e respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit”.

“Unë po ju them të gjithëve, ju vetëm bëjeni punën e juaj. Do të befasoheni kur të shihni se si do të jetë përgjigja jonë. Do të shihni se sa vende do t’i tërheqin njohjet të njëjtën ditë”, deklaroi Vuçiq dhe shtoi se për një gjë të tillë nuk do t’i pyes as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as Evropën dhe askënd tjetër.

Në anën tjetër, në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka thënë se “e fton BE-në dhe SHBA-në që si ndërmjetësuese dhe përkrahëse të procesit të dialogut të mbështesin procesin, të vlerësojnë rolin konstruktiv të Kosovës dhe ushtrojnë trysninë e domosdoshme ndaj Serbisë për të ndalur fushatat dhe qasjen armiqësore ndaj Republikës së Kosovës”.

//Telegrafi

Advertisement

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

TË FUNDIT